QKK | Kush jemi ?

English version

Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) është krijuar në vitin 1997.

QKK është institucioni më i rëndësishëm kombëtar që inkurajon, financon dhe promovon prodhimin kinematografik në Shqipëri. Përmes administrimit të fondit publik, QKK mundëson zhvillimin e industrisë së filmit në vendin tonë.

Qëllimi i QKK-së është zhvillimi i kinematografisë sonë duke inkurajuar vizonet e reja. Kriteri kyç në proçedurën e përzgjedhjes së projekteve fituese mbetet vlera artistike. QKK që prej krijimit të saj, mbështet prodhimin, distribuimin dhe promovimin e filmave me metrazh të gjatë, të shkurtër, dokumentar dhe të animuar. QKK përkrah kineastët shqiptarë veçanërisht për bashkëprodhime ndërkombëtare. Kjo është një strategji efikase për të siguruar distribucion dhe një audiencë më të gjerë jashtë kufijve. QKK financon filma me metrazh të shkurtër të regjisorëve të rinj, si dhe ndihmon studentët kineastë në produksionet e tyre të para kinematografike.

QKK ofron mbështetje financiare për festivale filmi, organizon Ditë të Filmit Shqiptar në vende të tjera, si dhe seminare e konferenca që kontribojnë në zhvillimin e industrisë së filmit në Shqipëri. QKK gjithashtu ndihmon edhe botimin e literaturës së artit filmik. QKK është përfaqësuese e Shqipërisë pranë strukturave ndërkombëtare kinematografike Eurimages, SEE Cinema Network dhe European Film Promotion dhe organizon pavione të filmit shqiptar në festivalet ndërkombëtare të filmit në Kanë dhe Berlin.

Filmat e realizuar me fondet e QKK kanë qënë të suksesshëm dhe janë nderuar me çmime në festivale të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.


Vizioni i QKK

Të financojë projekte që pasqyrojnë artistikisht Universin e Njeriut Shqiptar, brenda dhe jashtë atdheut; nëpërmjet talenteve shqiptare më të spikatura në fushën e kinematografisë, si dhe teknikave më të mira kinematografike bashkëkohore.

Ky pasqyrim artistik duhet të përfshijë të gjitha aspektet e Njeriut Shqiptar; të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen; pa e idealizuar dhe pa e poshtëruar atë; duke treguar të vërtetën artistike me kurajo morale, humaniste dhe qytetare.

Kinematografia shqiptare duhet t’i ngjajë simbolikës së shqiponjës në flamurin tonë kombëtar; të ketë dy kokë, për të parë të mirën dhe të keqen, brenda dhe jashtë nesh.


Misioni i QKK

Të financojë projekte që pasqyrojnë artistikisht Universin e Njeriut Shqiptar; brenda dhe jashtë atdheut; nëpërmjet talenteve shqiptare më të spikatura në fushën e kinematografisë, si dhe teknikave më të mira kinematografike bashkëkohore.

Të nxisë, përkrahë, përmirësojë e financojë sistemin e vlerësimit të projekteve, për të rritur në maksimum cilësinë artistike të të gjitha projekteve të financuara, si dhe talenteve të reja.

Të stimulojë, nxisë, shtojë e financojë të gjitha projektet që rrisin përfshirjen dhe njohjen e kinematografisë Shqiptare në rajon, Evropë dhe gjithë botën, nëpërmjet bashkëpunimeve të gjithanshme.