«Streha mes Reve» rrëmben tri çmime në PriFest

Ul siparin edicioni i XI i PriFest.

Rrugëtimit nga premiera në Tallinn përmes Francës, SHBA-së, Iranit, Rumanisë, Maltës arrin një pikë kulmore në PriFest.

Jo vetëm çmimi si filmi më i mirë Ballkanik, por edhe dy çmimet për :
• aktorin më të mirë Arben Bajraktarin, dhe
• aktoren më të mirë Irena Cahani.

Ky film është një bashkëprodhim midis Shqipërisë dhe Rumanisë, dhe është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë.

Urime ekipit të filmit !

© Copyright 2019 PriFest

Premiera e filmit artistik «Fusha e mëllenjave»

Një tjetër premierë i vjen ekraneve shqipfolëse.

“Fusha e mëllenjave” me skenar dhe regji të Arzana Krajës, do të hapë zyrtarisht edicionin e 11-të të PriFest, sot, më 16 korrik, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Filmi “Fusha e mëllenjave” është prodhim i shtëpisë kinematografike Circle Production (Kosovë – Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Action Production (Shqipëri-Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.

Në rolet kryesore janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica.

Syla, një ish-i burgosur politik, kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij.

Premiera e filmit artistik «Internimi»

Sot në orën 21:00 në Kinema Millennium, ka premierën shqiptare filmit «Internimi». (97 min)

Një produksion i CineKast, me skenar dhe regji nga Kast Hasa.

Në role protagoniste Klodian Hoxha, Krist Baçi dhe Enxhi Cuku.

Ngjarjet e filmit zhvillohen përgjatë viteve ‘80 kur Shqipëria ishte nën rregjimin komunist. Filmi është xhiruar në Divjakë, Lushnje dhe Ferras. Familja Kulla përpiqet të mbijetojë ndërsa janë të internuar nga rregjimi komunist. Për (Arturin) djalin e familjes, situata vështirësohet më tepër pasi vendbanimi i tij i ri, është pranë shtëpisë së të dashurës së tij (Frida) e cila është e detyruar të fejohet me operativin. Familja vazhdon të jetojë vuajtjet e persekutimit ndërkohë, siç zbulohet më vonë, i sapo riatdhesuari (Nik Nuri) në përpjekje për të ndihmuar familjen, e komplikon situatën më tutje.

Vlerësuar me çmimin “Filmi më i mirë i huaj” në Arizona International Film Festival, USA dhe “Regjia më e mirë” në Riverside International Film Festival, USA.

Ky film debutues i regjisorit Kast Hasa është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Deklaratë për Shtyp

Në kuadër të disa ndryshimeve ligjore të rëndësishme të ndërmarra nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në zbatim të platformës së zhvillimeve të reja ligjore e administrative, që Kryetari i institucionit, z. Eduart Makri paraqiti para kineastëve në COD, ka patur disa zhvillime pozitive, pavarësisht debateve, që janë pjesë e procesit demokratik.

Shumica e kryetarëve të shoqatave që përfaqësojnë kineastët shqiptarë, janë shprehur pozitivisht për ndryshimet si dhe mekanizmat e propozuara nga Kryetari Makri, pasi të gjithe janë dakord me përpjekjet për ngritjen e cilësisë dhe forcimin e kontrollit në praktikat ligjore e administrative të prodhimeve kinematografike shqiptare.

Kjo dakortësi reflektohet në marrëveshjet e bëra kohët e fundit midis Kryetarit Makri dhe administratës së drejtuar prej tij dhe kryetarëve të shoqatave të kineastëve.

Me dakordësinë e shumicës absolute të kryetarëve të shoqatave të kineastëve, me urdhërin e Kryetarit nr. 371 Prot., datë 08.07.2019 u ngrit u ngrit Bordi Konsultativ i përbërë me përfqësuesit e shoqatave të kineastëve që do të funksionojë pranë QKK me qëllim, diskutimin dhe propozimin e ndryshimeve të nevojshme në sistemin kinematografik shqiptar.

Procesverbali i mbledhjes së datës 4 Korrik 2019

Urdhëri i Kryetarit të QKK me Nr.371 Prot., i datës 8 Korrik 2019

Kryetari Makri, duke shpresuar se kjo gjë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, falënderon shoqatat e kineastëve, që pavarësisht mendimeve të ndryshme dhe debateve të zhvilluara, shfaqin dëshirën dhe vullnetin të ulen në tryezë dhe të debatojnë në menyrë konstruktive. Kjo gjë do të ndryshojë disa praktika të deritanishme, ku grindjet e forta dhe mosmarrëveshjet midis shoqatave kanë penguar dhe pengojnë komunikimin, si dhe vështirësojnë aplikimin e ndryshimeve pozitive.

Kryetari i QKK
Eduart Makri

Njoftim për Kineastët

Të nderuar kineastë,

Siç jeni në dijeni në datën 12 Qershor 2019, është miratuar Rregullorja e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në të cilën përcaktohet se projektet kinematografike per konkurim, duhet të paraqiten për konkurim në gjuhën shqipe dhe angleze.

Sa më siper, lutemi të depozitoni me email:

1. Projektin e përkthyer në gjuhën angleze;

2. Dokumenta shtesë, të cilët demonstrojnë se projekti Juaj ka patur zhvillime që nga periudha kur është aplikuar dhe deri më tani, apo që ndihmojnë për vlerësim sa më korrekt nga ana e Këshillit të Miratimit të Projekteve, sipas aneksit 9 te Rregullores së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, të cilën e gjeni ne linkun:

http://nationalfilmcenter.gov.al/index.php/juridik/rregullore-e-qkk/

Afati i fundit për përditesimin e projekteve, si dhe depozitimin e projekteve në gjuhen angleze do të jetë data 15 Shtator 2019.

Në rast të moszbatimit të sa përcakton Rregullorja e QKK, projekti nuk do të kualifikohet në konkurim.

Njoftim mbi Mbledhjen e 155-të të Bordit Menaxhues të Eurimages

Mbledhja e 155-të e Bordit Menaxhues të Eurimages u mbajt në Gjenevë në datat 24-29 qershor 2019. Përfaqësuesit e Shqipërisë , Kryetari i QKK z. Eduart Makri dhe zëvendësja Majlinda Tafa morën pjesë në këtë takim. Shqipëria në këtë mbledhjeishte pjesë e Co-production Working Group ku u diskutua dhe votua për 33 ng 64 projektet që kishin aplikuar.

Njëri nga projektet aplikuese që fitoi, ishte edhe ai i Isa Qoses, me titull “Lejleku”. Ky është bashkëprodhimi i parë zyrtar mes Malit të Zi, Kosovës DHE Shqipërisë. Ky projekt u rendit ndër më të vlerësuarit e kësaj mbledhjeje.

Grupi i Promocionit të Eurimages, vendosi që t’i rijapë patronazhin, Balkan Film Market.

Në këtë mbledhje u përshëndetën përfaqësuesit që largohen nga Eurimages, dhe u përshëndetën përfaqësuesit e ri, ndër të cilët ishte edhe Kryetari i ri i QKK, z. Eduart Makri. Z. Makri mori fjalën dhe falenderoi për mikpritjen e të gjithë përfaqësuesve kombëtarë si edhe të sekretarisë, duke rinovuar ftesën për të zhvilluar një takim tjetër të Eurimages në Shqipëri.

Njoftimin e plotë me vendimet e mbledhjes e gjeni në linkun e mëposhtëm:
https://www.coe.int/en/web/eurimages/-/23-co-productions-supported-at-the-155th-eurimages-board-of-management-meeting

Filluan xhirimet e filmit artistik «ZGJOI»

Filluan xhirimet e filmit artistik «ZGJOI», skenari dhe regjia Blerta Basholli, bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

«ZGJOI» është debutimi i regjisores kosovare Basholli me bashkëproducent shqiptar Paskal Seminin, film, i cili, sjell në ekranin e madh historinë e Fahrijes që kërkon ende bashkëshortin e humbur në luftë. Për të siguruar mbijetesën e familjes ajo fillon një sipërmarrje të vogël duke rritur bletë. Kur bletët bëhen agresive ndaj saj, Fahrijes i duhet të vendosë se si do të bëjë paqe me to por mbi të gjitha, me veten.

Filmi është financuar nga QKK Kosovë, Fondi Shtetëror Zvicerian, Cineforum i Kantonit Gjenevës, Televizioni Kombëtar Zviceran RTS, QKK Shqipëri dhe Agencia Filmit Maqedoni.