Merr detyrën Kryetari i ri i QKK, Z. Eduart Makri

Dje në prezencë të Sekretares së Përgjithshme dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, të kryetarit në largim Z. Ilir Butka dhe stafit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u prezantua dhe mori detyrën si Kryetari i ri i QKK-së, Z. Eduart Makri.

Duke falënderuar Z. Butka për punën dhe arritjet gjatë mandatit të tij, Z. Makri siguroi se do të shtyjë përpara sukseset e QKK dhe do të angazhohet në krijimin e iniciativave të reja në mbështetje të kineastëve shqiptarë.


Jetëshkrimi i z. Eduart Makri

Eduart Makri ka lindur në Gjirokastër më 5 Qershor 1957, ku studioi deri në përfundim të shkollës së mesme.

Në 1981 mbaron me sukses studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Që gjatë viteve të studimit përzgjidhet për rol kryesor nga regjisori Dhimitër Anagnosti, në filmin “VËLLEZËR DHE SHOKË” (1979). Pas kësaj fiton role kryesore në “BESA E KUQE” dhe “NË KUFI TË DY LEGJENDAVE” me regjisor Piro Milkani, në filmin “NATË PA DRITË” të regjisorit Gëzim Erebara si dhe “NË EMËR TË LIRISË” të Regjizorit Fehmi Oshafi.

Pas studimeve punon si Asistent Regjisor i Parë (First AD) në Kinostudion “Shqipëria e Re”, me regjisorët më të suksesshëm: duke punuar në 12 filma gjatë 5 vjetëve.

Në gusht të 1993, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nën Ministrin e asaj kohe Z. Dhimitër Anagnosti. Në këtë detyrë merr pjesë drejtpërdrejt në hartimin dhe miratimin e Ligjit “Mbi Kinematografinë” dhe qe anëtar i grupit të punës, që projektoi dhe miratoi ndërtimin dhe miratimin e “Ligjit mbi veprimtarinë televizive dhe audiovizuale”.

Largohet nga Ministria e Kulturës për të krijuar dhe punuar si Drejtor Ekzekutiv në fondacionin e parë të pavarur për kulturën dhe artet: Fondacioni “Fan Noli”, të kryesuar nga Kryetari z. Dhimitër Anagnosti. Gjatë kësaj kohe organizon edhe 2 spektakle të mëdha muziko-letrare në bashkëpunim me TVSH.

Në vitin 1999 largohet me familjen për pothuajse 20 vjet në Toronto, kohë gjatë të cilës nuk e ndërpret punën në fushën e filmit, si aktor, skenarist, regjisor dhe producent. Ai është anëtar i ACTRA (The Alliance of Canadian Cinema, Television and Radio Artists) dhe WGC (Writer’s Guild of Canada).

Në vitin 2015 realizon filmin e tij të suksesshëm “Quo Vadis?”, pjesëmarrës në konkurimin zyrtar një 12 festivale ndërkombëtare (US & Canada), fitues i 3 çmimeve ndërkombëtare.

Në 2018-tën kthehet në Tiranë dhe angazhohet si pedagog i Mjeshtërisë së Regjisurës në Akademinë e Filmit dhe Multimedias MARUBI.

Në 17 prill 2019 emërohet Kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Krijimtarinë artistike të z. Eduart Makri e gjeni këtu: Eduart Makri – Krijimtaria Artistike

«Projekti CIRCE», Hapet thirrja: 9 episode për web

Thirrje ndërkombëtare për prodhimin ekzekutiv të 9 episodeve 10-minutëshe për web, si pjesë e një seriali antropologjik me temën «Journey».
Çdo episod financohet me 20 000 euro.

Ftohen të gjithë producentët e interesuar, të regjistruar pranë QKK-së, të aplikojnë në bashkëpunim me një regjisor nën 35 vjeç.

Kjo iniciativë realizohet në kuadër të Programit INTERREG IPA CBC Itali-Shqipëri-Mal i Zi dhe financohet nga Fondacioni Apulia Film Commission.

Thirrjen e plotë dhe dokumentat e aplikimit i gjeni në:
https://www.italy-albania-montenegro.eu/circe-international-call-for-the-executive-production-of-9-episodes-of-a-web-series

Për thirrjen e përkthyer në shqip klikoni këtu.

Për informacione të mëtejshme na kontaktoni: info@nationalfilmcenter.gov.al