Filma të Bekim Fehmiut në Festivalin e Filmit në Pogradec

Këtë vit, në edicionin e gjashtë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, në Pogradec, cdo natë në kinemanë verore pranë Galerisë së Arteve do të shfaqen filma me protagonist aktorin e shquar shqiptar Bekim Fehmiu, në nderim të 80-vjetorit të tij të lindjes. shkruan KultPlus.
Për dallim nga vitet tjera Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ne Pogradec, këtë vit edicionin e gjashtë të tij, do ta mbaj nga data 31 deri më 5 gusht. Këtë edicion festivali ka zgjedhur që krahas aktiviteteve tjera, ta nderoj aktorin e shquar shqiptar, Bekim Fehmiu në nderim të 80- vjetorit të tij të lindjes, duke shfaqur cdo natë filmat me protagonist aktorin e shquar, në kinemanë verore pranë Galerisë së Arteve, shkruan KultPlus.

Në edicionin e këtij viti janë në konkurim afër 100 filma nga të gjithë vendet e Ballkanit. Jashtë konkurimit janë edhe 50 të tjerë. Pjesmarrës në festival janë disa nga figurat më të spikatura të kinematografisë shqiptare si: Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Pirro Milkani, Ndriçim Xhepa, Guljejm Radoja, Tinka Kurti, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, Niko Kanxheri, Esat Musliu, Saimir Kumbaro, Xhevdet Ferri etj.

Presidente nderi e Festivalit është Margarita Xhepa. Juria e festivalit është e përbërë nga pesë anëtarë, të gjithë autoritete në fushën e kinematografisë, dhe të gjithë joballkanikë. Festivali do të shoqërohet edhe me disa aktivitete të tjera: Në bashkëpunim me UNESCO një grup kineastësh të rinj do punojnë në një projekt të veçantë, i cili ka për qëllim që, nëpërmjet videdokumentarëve, të evidentojë vlerat ende pak të njohura turistike të zonës. Punimet e tyre do shfaqen në natën e fundit duke u ndarë çmime për punimet më të mira. Një koloni piktorësh, studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë, nën drejtimin e prof. Vladimir Myrtezaj-Groshi do të punojë përgjatë një jave duke realizuar peisazhe nga Pogradeci. Këto punë do të ekspozohen në galerinë e qytetit natën e fundit. Në odeonin e qytetit, në një ekran të madh, do të shfaqen çdo natë filma shqiptarë të tipit komedi. Një ekspozitë pikture nga autorët Anastas Kostandini dhe Arben Theodhosi do të jetë e hapur në galerinë e qytetit përgjatë gjithë ditëve të festivalit./KultPlus.com
Share this...
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn