Kinematografia shqiptare në festivalin ndërkombëtar në Paris

Cinema Du Reel, festivali ndërkombëtar i filmit dokumetar që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18 – 27 mars 2016, i dedikon sivjet në ediconin e tij të 38-të, një program të veçantë kinemasë shqiptare, një retrospektivë të sjellë nëpërmjet dokumentarëve të fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Programi mbi kinemanë shqiptare, i titilluar Një histori përmes imazheve: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit Cinema Du Reel, kritik filmi dhe studiues i kinemasë.
Retrospektiva e pasur me 16 tituj filmash dokumentarë shqiptarë dhe 1 film artistik është konceptuar e grupuar në 5 programe të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë treguar me anë të mediumit kinematografik:
Shqipëria e periudhës së shtetformimit përcjellë përmes kamerës së drejtuar nga Mandi Koçi me dokumentarin e parë prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947, Viktor Gjika, kinopoema dokumentareske e vitit 1964 mbi rindërtimin e vendit, Shkëlzen Shala me dokumentarin e tij të vitit 1974 mbi Tiranën e djeshme dhe të kohës, pra të ‘74ës, si dhe Kujtim Gjonaj me thirrjen që i bën shoqërisë në vitin 1993 për të mos ngritur më mite pasi kanë shembur idhujt e vjetër.
‘Zërat’ e censuruar, të kinematografisë shqiptare do të shfaqen  për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tj të shkurtër të viteve 1955-56, të veçanta në llojin e vet, një pasqyrë e jetës reale të shoqërisë shqiptare të atyre viteve e që shprehin një kinema të çiltër e origjinale.
Pas xhirimit të këtyre etydeve të shkurtra, Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij. Kamera e drejtuar nga Mithat Fagu do të na flasë për dhuruesit e jetës, dhuruesit e gjakut. Sërish një regjisor që e përdor bukur syrin e tretë dhe realizon dokumentarë përtej atyre të zakonshmëve. Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit tekniko-shkencor” film i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare por në AQSHF ruhen elementet kryesorë të kësaj vepre.
E nuk mund të mungonte kamera e regjisorit Dhimitër Anagnosti në këtë retrospektivë të filmit shqiptar në Paris. Anagnosti vjen me premierën botërore të restaurimit të dokumentarit “Përjetësi’ një restaurim i realizuar nga AQSHF vitin e kaluar.
Ky dokumentar, një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të luftës antifashiste, nuk është shfaqur për publikun e gjerë në Shqipëri, as në kohën e prodhimit të tij në vitin 1974, pasi është konsideruar të ketë një koncept regjisorial modern për kohën. Gjithashtu, pjesë e programit do të jetë edhe filmi tjetër ‘modern për kohën’ i Anagnostit, “Motive nga dita e diel”, 1974 ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz.
Vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen për publikun ndërkombëtar të Cinema Du Reel nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt. Studentët e përzgjedhur nga Topallaj, vajzat më të bukura e djemtë më të pashëm të Tiranës na shoqërojnë në një udhëtim të mrekullueshëm nga veriu në jug të vendit e na njohin me historinë, traditat e peisazhet marramendëse. Pikërisht fati i të rinjve protagonistë të filmit, diktoi edhe fatin e filmit… disa prej tyre u internuan nga regjimi e kështu filmi u detyrua të priste në raftet e Arkivit për ta parë sërish dritën e projeksionit vetëm në vitet dymijëedhjetë.
Marrëdhëniet me ndërkombëtarët,  zbulohen në programin e tretë nëpërmjet filmave të prodhuar në Shqipëri, nga kineastë të huaj si dokumentari i realizuar në 1935 nga Walter Frentz, që njihet si fotograf i propagandës naziste, apo bashkëprodhimeve me rusët (Shqipëria 1945, Roman Karmen) dhe kinezët (Krah për Krah, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964).
Pasoja – Historia e risjellë, është programi i katërt i cili don të ri-tregojë historinë e shqiptarëve, këtë herë përmes 2 dokumentarëve të kohëve të fundit, nga dy regjisorë të brezit të ri të kineastëve; “Superballkan”, Fatmir Koci, 1998 dhe “Pritja”, Roland Sejko 2015. Këta dy filma janë të ndërtuar me materiale arkivore nga fondi filmik i AQSHF-së dhe tregojnë se si mund të përdoren materialet e vjetra për të ri-thënë historinë nga një këndvështrim tjetër.

Loja e fëmijëve – Realiteti i Xhanfise Kekos
, është prgrami i fundit i retrospektivës, dedikuar regjisores shqiptare. Studiuesve dhe kritikëve europianë të filmit po u bën përshtypje gjithnjë e më shumë puna dhe arti i një gruaje regjisore. Këtë herë sillet Xhanfise Keko me filmin artistik “Kur xhirohej një film” dhe dokumentarin e shkurtër “Para shfaqjes”, ku gjithnjë në fokus vendos botën e pafajshme të fëmijëve.
Në kuadër të retrospektivës së kinemasë shqiptare  do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët ku kineastë dhe arkivistë do të diskutojnë se si imazhet e lëvizshme i dhanë formë dhe ende sot pasqyrojnë narrativën e historisë dhe shoqërisë shqiptare  dhe se si këto imazhe duhet dhe mund të ruhen, restaurohen dhe të ripërdoren për të kuptuar të tashmen.
Marrë nga: ATA
http://www.oranews.tv/kultura/kinematografia-shqiptare-ne-festivalin-nderkombetar-ne-paris/

Share this...
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn