Agjensia e Lajmeve Sot News / Ilir Butka: Buxheti për filmin u rrit me 54 përqind / Julia Vrapi

Ilir Butka: Buxheti për filmin u rrit me 54 përqind këtë vit, komision për ndryshimin e ligjit të kinematografisë

Postuar: 20/01/2015 – 08:07

Ky vit ka nisur me një buxhet më të lartë për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, gjë që pritet të sjellë dhe një ndryshim të situatës me projektet e filmit. Për kryetarin e QKK, Ilir Butka, viti 2015 ka nisur dhe me përgatitje që do të sjellin një prezantim të Shqipërisë në Berlinale, ndërsa vlerëson jo pak edhe rezultatet e konkursit për projektin “Memoria”. Në intervistën dhënë për gazetë, kryetari i QKK Ilir Butka pohon se 54 përqind rritje e buxhetit për qendrën e filmi, tregon suportin që shteti i jep kinematografisë shqiptare si dhe komunitetit të kineastëve. Por kjo rritje e buxhetit sipas tij ka nisur dhe vitin që kaloi, duke pohuar se praktikisht QKK nuk ka borxhe, trashëgon disa detyrime kontraktore, të cilat do të shlyhen si për filmat që kanë mbaruar edhe për ato filma, të cilët nuk janë dorëzuar akoma, por që planifikohen të dorëzohen këtë vit. Në lidhje me financimin e projekteve të reja, kryetari i QKK Ilir Butka pohon se projektet e para që do të financohen për 2015 janë projektet, të cilat do të jenë gati për të filluar punën.
 
-Si ka nisur puna në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), kur jemi në muajin e parë të 2015?
 
Këto ditë kanë dalë rezultatet e konkursit për “Projektin Memoria”, që organizon “Apulia Film Commission” (AFC). Nga rreth 50 projekte në konkurrim 6 prej tyre kanë fituar, nga të cilët 3 janë projekte të prezantuara nga shtëpitë filmike shqiptare me producentë shqiptarë. Pra, kemi një bilanc shumë pozitiv kur mendojmë që çdonjëri prej projekteve fiton të drejtën për t’u financuar me maksimumi 30 mijë Euro. Pra, kemi të bëjmë me rreth 90 mijë euro, që vijnë si kontribut i asaj që ne e kemi konsideruar si fonde alternative, të cilat i bashkëngjiten buxhetit tonë me fonde publike. Pjesëmarrja me të drejta të plota të shtëpive kinematografike shqiptare në këtë konkurs është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit, që u lidh në shtator të vitit të kaluar midis QKK dhe AFC dhe rezultatet e konkursit për Projektin Memoria, ishin dëshmia e parë e avantazheve që solli kjo marrëveshje. Ndërkohë, ne jemi në fazën e përgatitjeve për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Berlin (Berlinale), ku Shqipëria do të përfaqësohet me një stendë të përbashkët me Qendrën e Kinematografisë të Kosovës.
 
-Si kryetar i QKK, çfarë mund të na thoni mbi buxhetet e filmit. Sa është fondi këtë vit në QKK për projektet e filmit?
 
Jam i lumtur të jap një lajm të mirë: Pas kaq vitesh Buxheti i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për vitin 2015 u rrit me mbi 54 %. Përveç kësaj nuk duhet të harrojmë që rritja e buxhetit u konkretizua që në vitin 2014 duke e shtuar edhe me rreth 10 milionë lekë. Sigurisht, dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin, Qeverinë, Ministren e Kulturës, Ministrinë e Financave, Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Parlament të cilët dëgjuan me vëmendje argumentet tona dhe na mbështetën duke treguar njëkohësisht suportin që shteti shqiptar i jep jo vetëm kinematografisë shqiptare, por edhe kineastëve si komunitet.
 
-A ka borxhe me projekte të filmit në QKK, dhe sa është fondi që duhet të shlyejë për projektet?
 
Praktikisht QKK nuk ka borxhe. QKK trashëgon disa detyrime kontraktore, të cilat do të shlyhen si për filmat që kanë mbaruar edhe për ato filma, të cilët nuk janë dorëzuar akoma, por që planifikohen të dorëzohen këtë vit.
 
-Çfarë mund të na thoni për ligjin e kinematografisë, kineastët kërkojnë ndryshimin e tij. Ju si e shikoni ligjin dhe çfarë po bëhet për ndryshimin e tij, ku ka probleme ligji ekzistues i kinematografisë?
 
Diskutimi për ligjin e kinematografisë është një diskutim kompleks që duhet shqyrtuar me vëmendje dhe përgjegjësi. Për këtë QKK ka menduar të krijojë një komision, i cili do të përfaqësojë komunitetin dhe grupet e interesit, faktorët dhe aktorët, i cili do të sugjerojë dhe do të diskutojë për ndryshimet që duhen bërë nëse është e nevojshme. Është një proces që kërkon pjekuri dhe maturi.
 
-Kur do të hapen aplikimet për projektet filmike dhe kur do të zhvillohet mbledhja e parë e bordit në QKK?
 
Në muajin mars parashikohet të organizohet thirrja e parë për projektet e reja ku do të caktohet edhe afati për aplikimet.
 
-Në vitin që lamë pas u zhvilluan disa mbledhje të bordit dhe u miratuan projektet. Por si do të vijojë financimi, pasi dihet që buxhetet janë problem. Si do ta menaxhojë QKK këtë, pra cilët do të jenë projektet e para që do të marrin financim këtë dhe cilët do të fillojnë xhirime?
 
Ju thoni që buxhetet janë një problem ndërsa mua nuk më rezulton një problem i tillë. Filmi “Gold” i Bujar Alimanit, për shembull, është një film i cili fitoi në mbledhjet e bordit që ju citoni dhe ka mbaruar tashmë xhirimet dhe është në fazën e postproduksionit. Ky projekt është financuar pjesërisht dhe ne do të vazhdojmë shlyerjen e detyrimeve në bazë të kontratës. Të gjitha projektet e tjera do të financohen në vazhdim duke respektuar afatet kontraktore midis QKK dhe Shtëpive Kinematografike. Projektet e para që do të financohen janë ato projekte të cilat do të jenë gati për të filluar punën.
 
-Në politikat e QKK ju futët dhe filmin indipendent. Një praktikë kjo e munguar më herët në QKK, sipas jush si do të ndikojë kjo në kinematografinë shqiptare?
 
Flitet për një buxhet që do të vihet në dispozicion për të gjithë ata regjisorë dhe producentë të cilët duan të realizojnë filmat e tyre me një buxhet minimal duke sjellë ata vetë, kontribute njerëzore, teknike, profesionale dhe financiare, ndërsa QKK mund të marrë përsipër mbulimin e disa zërave në realizimin e projekteve të tyre. Qëllimi është nxitja e iniciativave të tilla duke shfrytëzuar mundësitë alternative që ekzistojnë për realizimet kinematografike. Buxheti në dispozicion për filmin indipendent përbën më pak se 1/10 e buxhetit të qendrës dhe me të u miratuan për financim 11 filma indipendente, 3 të gjatë, 5 të shkurtër dhe 3 dokumentarë.
 
-Gjithmonë vëmendja ka qenë më shumë në filmin artistik, por sa hapësirë do të gjejnë këtë vit dhe filmi dokumentar dhe ai i animuar?
 
Prej disa vjetësh QKK nuk kishte financuar projekte të filmit të animuar ndaj një nga angazhimet e para ka qenë pikërisht vëmendja ndaj kësaj kategorie të rëndësishme për kinematografinë tonë. E them këtë pasi ne kemi një trashëgimi mjaft interesante në fushën e animacionit me krijues të talentuar dhe profesionistë me eksperience në teknikat e ndryshme tradicionale të cilat mund të humbasin nëse nuk kujdesemi për këtë trashëgimi të vyer. Praktikisht, në mbledhjet e fundit janë miratuar 3 projekte të filmit të animuar. Po ashtu janë miratuar për financim 4 projekte të filmit dokumentar, njëri prej të cilëve, filmi dokumentar “Pritja”, me regji të Roland Sejkos është drejt përfundimit dhe besoj që do të kemi premierën e tij në pranverë.
 
-Ju pohuat se ka një rritje të buxhetit për filmin në QKK, a do të vijoni të kërkoni më shumë buxhet nga shteti për filmin?
 
Sigurisht ne do vazhdojmë të kërkojmë rritje buxheti për fondin e projekteve, sepse buxheti duhet të jetë në përpjestim të drejtë me ambiciet dhe ambiciet tona janë lidhura me projekte, të cilat duhet të gjejnë pjesërisht mbështetjen në buxhet dhe pjesën tjetër në burime alternative. Rritja e bashkëpunimit me institucionet homologe shtetërore dhe private, brenda dhe jashtë vendit, do të ndihmojë për të gjetur financime alternative konkrete për kinematografinë shqiptare. Marrëveshja e Bashkëpunimit me “Apulia Film Commission” ishte hapi i parë, që do të pasohet nga marrëveshje me institucione të tjera të cilat do të krijojnë premisat jo vetëm për bashkëpunim, financim por edhe për të promovuar ne një dritë të re në kinematografinë tonë.
 
-Këtë vit që ka nisur, si e shkoni zhvillimin e filmit shqiptar dhe a do të kemi premiera të filmit artistik?
 
Ky vit është një nga vitet më të pasura për nga sasia e projekteve të miratuara, 10 filma të gjatë, 9 filma të shkurtër, 3 filma të animuar, 4 dokumentarë dhe 4 zhvillime projekti. Besoj se do të kemi mjaftueshëm premiera këtë vit për të kuptuar trendin e filmit shqiptar, por sigurisht detyra më e madhe i mbetet krijuesve, të cilët janë financuar tashmë dhe nga të cilët varet në një farë mënyre fati jo vetëm i veprave të tyre por edhe i kinematografisë sonë. 
 
-Në fund të bisedës, çfarë mund të na thoni mbi bashkëpunimin që keni me Ministrinë e Kulturës?
 
Bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës ka qenë optimal. Kam informuar vazhdimisht ministren Kumbaro për iniciativat tona dhe kam kërkuar vazhdimisht që rezultatet tona pozitive t’i ndajmë bashkërisht. Kinematografia është pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare ndaj edhe Ministria e Kulturës ka qenë e vëmendshme dhe disponibël ndaj veprimtarisë së QKK-së. Ne jemi duke koordinuar dhe sinkronizuar gjithashtu të gjitha lëvizjet dhe iniciativat midis Ministrisë së Kulturës dhe QKK për të optimizuar lidhjet me institucionet homologe në vendet e tjera. Së shpejti një delegacion i Ministrisë së Kulturës ku do të bëjë pjesë edhe QKK do të shkojë në Kosovë për të koordinuar punën në të gjitha drejtimet për të pasur një axhendë të përbashkët kulturore.
 
Qendra Kombëtare e Kinematografisë-numra dhe fakte për vitin 2015
 
-Buxheti i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u rrit me 54%.
-Regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë 48 Shtëpi Kinematografike
-Për vitin 2015 kanë aplikuar në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare një numër rekord prej rreth 80 projektesh filmike.
-Në fund të procesit të vlerësimit nga Këshilli Miratues i Projekteve u financuan 30 projekte: 10 filma të gjatë, 9 filma të shkurtër, 4 filma dokumentarë, 3 filma të animuar, 4 zhvillime projekti.
-Fitojnë për herë të parë mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë 18 regjisorë te rinj.
-Ndër projektet e financuara, 6 prej tyre kanë regjisore femra.
-Numri i filmave të financuar për vitin 2015 përbën 15%, ose 1/6 e të gjithë filmave që QKK ka financuar në 18 vjet të ekzistencës së saj.  

Intervistoi: Julia Vrapi
 
/Agjensia e Lajmeve Sot News/
http://sot.com.al/kultura-intervista/ilir-butka-buxheti-për-filmin-u-rrit-me-54-përqind-këtë-vit-komision-për
Share this...
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn