Katriel Shory kineastëve të rinj: Skenari duhet t’i flasë një publiku të gjerë

Katriel Shory kineastëve të rinj: Skenari, historia ne film duhet t’i flasë një publiku të gjerë


4/Tetor/2014 Si të zhvillosh një skenar të filmit të shkurtër dokumentar apo artistik? Çfarë fazash kalon prodhimi dhe zhvillimi i një filmi? A duhet të përfshihen në skenar elementet që bëjnë të kuptueshme historinë e vendit për të cilin shkruan? Me çfarë gjuhe duhet ti flasësh një publiku të gjerë? Si duhet të përzgjidhen producentët, regjizori, e sa të rëndësishme janë audicionet në këtë proces?
Qendra Kombëtare e Kinematografisë në bashkëpunim me Tirana International Film Fest ka sjell në Tiranë  z. Katriel Shory, lider i një prej organizatave më të rëndësishme në Europë për trajtimin, zhvillimin dhe organizimin e rrjeteve të producentëve “EAVE” . z.Shory foli sot para kineastëve të rinj shqiptarë, në lidhje me fazat e prodhimit dhe zhvillimit artistik të një filmi.  EAVE është e njohur në botë , për prodhimin e një numri të madh dokumentarësh, serialesh televizive dramatike dhe bashkëprodhimesh, të cilat kanë marrë çmime prestigjioze izraelite dhe ndërkombëtare.
Intervistë me Katriel Shory
“Ne vijmë nga vende të vogla, dhe filmat tanë kanë pothuajse gjithmonë një histori nga “oborri” i tyre. Por ajo që duhet të keni gjithmonë kujdes kur shkruani një histori, është të përfshini në të elemente shpjegues për ta bërë të kuptueshme historinë për një njeri që vendin tuaj e njeh vetëm nga emri. Historia duhet t’i flasë një publiku të gjerë.”
Të bësh një film do të thotë të përplasesh me shumë mendime e njerëz të ndryshëm. A duhet ti qëndrojmë besnik atij momenti kur është ngjizur ideja fillestare?
“Absolutisht që po. Duhet të mbajmë gjithmonë në mend momentin e parë, gjatë të cilit vendosim të angazhohemi me një projekt të caktuar. Gjithmonë duhet ta kujtojmë këtë moment të parë, i cili është kyç jo vetëm për prezantimin që i bëjmë projektit për të gjetur financues, por edhe për ta mbajtur si pikë kryesore referimi, kur projekti arrin në faza të mëvonshme dhe në të janë përfshirë dhe ndikojnë njerëz të ndryshëm, të cilët jo gjithmonë i shikojnë gjërat njësoj”.
Ndodh shpesh që filmat e suksesshëm të jenë ekranizim i letërsisë. Shembuj ka pafund, po çfarë duhet të ketë një ide fillestare që të shndërrohet në një film të suksesshëm?
“Ajo që ne bëjmë është mbështetja tek letersia e suksesshme e vendeve tona. Është mirë të kemi ide interesante, por përshtatja e letërsisë për kinemanë është një formë e mrekullueshme e artit. Ne vijmë nga vende të vogla, dhe filmat tanë kanë pothuajse gjithmonë një histori nga “oborri” i tyre. Por ajo që duhet të keni gjithmonë kujdes kur shkruani një histori, është të përfshini në të elemente dhe shpjegime të duhura për të bërë të kuptueshme historinë për një njeri që vendin tuaj e njeh vetëm nga emri. Historia duhet t’i flasë një publiku të gjerë.”
Çfarë e bën një kineast të mirë?
“Ajo që e bën një kineast të mirë, është krijimi i një balance midis pasionit krijues dhe logjikës së produksionit. Jeni me fat nëse gjeni një producent që në fillimet e projektit. Nëse nuk e keni këtë mundësi, atëherë duhet të dini të zgjidhni llojin e producentit me të cilin mund të bashkëpunoni”.
Sa i rëndësishëm është producenti për një film dhe a ndihmon “alkimia” mes skenaristit dhe regjizorit  tek suksesi i filmit?
“Producentët zakonisht bëjnë rekomandimet e veta para se vendosin të investojnë për një film. Ndërkohë që ndërmerret dialogu midis ekipit të përfshirë në projekt, ka raste që producentët ose regjizorët të zihen para nesh për lloj lloj mosmarrveshjesh. Madje, ndonjëherë ata tërhiqen nga projekti sepse filmi që ne po propozojmë ngjason shumë me filma të bëra bajat. Në momentin që merret vendimi që fondi jonë të financojë një film në bashkëpunim me producentë të tjerë, nis një periudhë shumë mujorëshe (18 muaj për shembull) ku organizohet projekti. Por, në disa raste, kur ka një mosmarrëveshje midis producentit dhe regjizorit, paratë e investuara kthehen direkt tek fondi ynë. Për këto arsye e shumë të tjera, është e domosdoshme që ti si skenarist ta kesh të qartë në kokën tënde çfarë drejtimi do të marrë filmi yt, dhe atë ide t’ja kesh transmetuar producentit dhe regjizorit sa më saktësisht. Pra, nëse kimia midis skenaristit dhe producentit/regjizorit mungon, projekti është pothuajse i kapitulluar”.
E si mund të shmangen “konfliktet” e ngjashme?
Ky është konflikt i përhershëm dhe i zakonshëm në botën e filmit. Fatmirësisht, ka lloj lloj mënyrash për ti shmangur këto soj problemesh. Në disa raste, kemi aplikantë dhe kandidatë që dëshirojnë të marrin financim nga ne, por nëse ne nuk na pëlqen ideja, nuk e marrim përsipër. Por, nëse e pëlqejmë, para se të arrijmë te faza finale, duhet të biem dakort për një producent ose regjizor. Për shembull, para disa vitesh, ne financuam filmin e një shkrimtareje që e kishte kthyer librin e vet në skenar. Në mungesë të një producenti, ajo doli në kerkime individuale.
Dërgoi skenarin e saj tek më shume se 10 producentë. Pas disa javësh, dolën disa variante. Pasi zgjodhën edhe një regjizor, filmi u finalizua edhe pati goxha sukses. Pra, në këtë rast, suksesi i filmit ishte i varur nga kimia midis regjizorit, producentit, edhe skenaristit”.
Shpesh regjizori është dhe producent i një filmi. Sigurisht ka sukses, por a humb filmi individualitetin?
“Në kuadër të filmave me buxhet të madh, unë nuk jam dakord që producenti edhe regjizori të jetë i njëjti person. Kjo sepse përbën një rrezik më të konsiderueshëm kur vjen puna te suksesi komercial i filmit. Kur është rreziku më i madh, paraja është më e rrallë dhe më e pakët. Pra, nuk është ideale për ne që të mos ketë një producent dhe një regjizor të ndryshëm, secili në individualitetin e vet, por në mirekuptim të plotë dhe me rrugët drejt dialogut krejt të hapur midis njërit- tjetrit”.
https://www.ata.gov.al/katriel-shory-kineasteve-te-rinj-historia-duhet-ti-flase-nje-publiku-te-gjere/
Share this...
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn