PriForum – Prishtina Film Forum 2014

Qendra Kombëtare e Kinematografisë mori pjesë në forumin rajonal të koproduksionit, organizuar nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, “PriFest”.

Kryetari i QKK-së, Ilir Butka mori pjesë në forumin ballkanik të bashkëpunimit kinematografik organizuar nga data 25-27 prill nga Festivali i Filmit në Prishtinë, “PriFest”. Në panelin e forumit ishin të pranishëm edhe kryetarët e qendrave të kinematografisë së vendeve të tjera të Ballkanit, si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në fjalën e tij Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal duke propozuar konkretisht fokusimin në katër pika të rëndësishme:

– Krijimin e një fondi të dedikuar për bashkëprodhimet kinematografike në Ballkan
– Ndërtimin e një rrjeti distribucioni ballkanik të licensuar prej qendrave të kinematografisë, me qëllim rritjen e audiencës
– Pjesëmarrjen në festivalet respektive të vendeve anetare në këtë fond me hapësira të dedikuara vazhdimisht për kinemanë ballkanike
– Bashkëpunim midis shkollave kinematografike respektive të vendeve të rajonit në aktivitete të përbashkëta dhe mundësisht shkëmbime bursash studimi.

Kontributi nga të gjitha vendet e rajonit me një buxhet të përbashkët për filmin ballkanik quajtur “Fondi Ballkanik i Filmit”, mund të jetë zgjidhja e duhur që do të sillte një ndryshim të ndjeshëm në projektet filmike të rajonit duke u përpjekur të stimulojë bashkëprodhimin ballkanik si një identitet të ri kinematografik. Butka theksoi se, tema të përbashkëta, skenarë të përbashkët, stafe të përbashkëta, buxhet i përbashkët dhe distribucion i përbashkët do ta bënin më të lehtë perqasjen e filmave ballkanikë në tregun evropian të filmit dhe jo vetëm.

Gjatë fjalës së tij Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë theksoi se prej vitesh në vendet e rajonit funksionon i ashtuquajturi Minority Fund (Fondi i bashkëprodhimit në minorancë) i cili parashikon pjesëmarrjen në bashkëprodhim filmash duke ofruar një minimum kontributi, që lëviz në varësi të mundësive financiare nga shteti në shtet (50-100 mijë euro). Shqipëria është përfituese e kësaj forme financimi nga disa vende fqinje për disa projekte të kineastëve shqiptarë, ndërkohë që për shkak të mungesave ligjore dhe buxhetit të ulët e ka patur të vështirë të ofrojë të njëjtën mbështetje financiare për projekte filmike të vendeve fqinj.

Në fund të fjalës së tij Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka propozoi organizimin në fund të këtij viti në Tiranë të një forumi ballkanik për të diskutuar rreth propozimeve konkrete dhe mundësive reale për realizimin e tyre, përsa i përket bashkëpunimit rajonal në fushën e kinematografisë.

Share this...
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn